Telegrafi

​Haradinaj kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, AAK ka thirrur debat parlamentar për ngritjen e çmimeve

Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thirrur debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës pas ngritjes së çmimeve të konsumit dhe paralajmërimit për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

Lajmin e ka bërë të ditur vet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai thotë se ZRRE ka dhënë një propozim për shtrenjtim të rrymës, ku rritja mund të mbërrijë mbi 80 për qind.

“Aleanca ka thirrur debat parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve të artikujve elementar për këtë të enjte. Ndërkohë veç paska rrjedhur një propozim i ZRRE për shtrenjtimin e rrymës që për konsumatorin mesatar familjar mund të mbërrijë mbi 80 për qind. Kjo është e papërballueshme”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndajë buxhet shtesë për mbulimin e kostos shtesë nga çmimi i tanishëm i energjisë që të mos preken qytetarët.

“Prandaj i bëj thirrje Qeverisë, që në këtë periudhë kur inflacioni ka rritur çmimin e shportës së përditshme të qytetarëve, të ndajë buxhet për mbulimin e kostos shtesë nga çmimi i tanishëm i energjisë. Kjo s’duhet të mbetet në nivel diskutimi të papërcaktueshëm të qeverisë”.

Ndryshe, zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar sot një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës./Telegrafi/