Telegrafi

Haradinaj kujton lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Deçan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar aksionin dhe lëvizjen për pajtimin e gjaqeve në Deçan.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se te Verat e Llukës u bashkuan rreth gjysmë milioni pjesëmarrës, në tubimin më madhështor shqiptar të të gjitha kohërave, ku kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë, e faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit.

Lexoni të plotë postimin e Haradinajt në Facebook:

“Aksioni dhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar ia doli që ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. Tridhjetë vjet më parë filluan ndryshimet e mëdha drejt realizimit të aspiratave tona si popull.

Te Verrat e Llukës u bashkuan rreth gjysmë milioni pjesëmarrës, në tubimin më madhështor shqiptar të të gjitha kohërave, ku kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë, e faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit.

Mirënjohje të përjetshme për të gjitha ata që morën këtë nismë patriotike, drejtuesit e saj Anton Çetta e Zekeria Cana, pajtimtarëve dhe heronjve të këtij aksioni kombëtar, atyre që falën në emër të atdheut e të popullit shqiptar!”. /Telegrafi/