Site icon Telegrafi

Haradinaj kujton heroin Myrtë Zeneli

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kujtoi heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli si dhe tetë dëshmorë të tjerë të cilët ranë më 1998 dhe 1999 në betejën në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz dhe Bokshiq.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është obligim ta ruajmë lirinë.

“Lufta për liri na ndau nga shumë bashkëluftëtarë të zot, që ishin me ne që nga fillesat e rezistencës sonë për liri. Në njëzetedy vjetorin e rënies, kujtojmë me nderim Heroin e Kosovës, Myrtë Zeneli, si dhe dëshmorët, Faruk Elezi, Arben Krasniqi, Xhezair Syla, Qaush Fazlija dhe Isuf Morina, që ranë gjatë betejës treditore në Grabanicë, Qeskovë, Dollovë, Kpuz e Bokshiq. Një vit më vonë, u përjetësuan Mehmet, Ajet dhe Hetem Rexhaj, tre vëllezër që falën jetën për Atdhe. Është obligim i yni ta ruajmë lirinë, duke përkujtuar bijtë tanë, që me gjakun e tyre u bënë themel i saj. Lavdi!”, shkroi Haradinaj.

Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi pikërisht Ramush Haradinaj.

Exit mobile version