Site icon Telegrafi

Haradinaj kujton familjen Rama nga Obiliqi: Liria erdhi nga gjaku i tyre!

Foto: Ilustrim

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar martirizimin e 10 anëtarëve të familjes Rama nga Obiliqi, të vrarë para 22 viteve nga forcat serbe.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar edhe mbi 180 martirë të lirisë nga Fushë Kosova.

“Në këtë datë të kobshme, egërsia barbare u shpërfaq edhe në lagjen Dardania dhe në tërë qytetin e Pejës. Ndërkohë, makineria vrastare, në Malet e Berishës bombardoi zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radiostacionin “Kosova e Lirë”, me ç’rast ra dëshmor Elbasan Berisha”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Liria erdhi nga gjaku i tyre!

Në fundin e marsit 1999, aparati gjenocidal serb, ishte mobilizuar në tërë vendin, duke u hakmarrë ndaj popullatës së paarmatosur.

Kujtojmë sot martirizimin e dhjetë antarëve të familjes Rama në Obiliq.

Ne ditën e tyre përkujtimore, kujtojmë po ashtu, mbi 180 martirë të lirisë nga Fushë Kosova.

Në këtë datë të kobshme, egërsia barbare u shpërfaq edhe në lagjen Dardania dhe në tërë qytetin e Pejës.

Ndërkohë, makineria vrastare, në Malet e Berishës bombardoi zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radiostacionin “Kosova e Lirë”, me ç’rast ra dëshmor Elbasan Berisha.

Duke ndjerë dhembje të madhe, njëkohësisht jemi krenarë që sot kemi Ushtrinë që është e gatshme të ballafaqohet me secilin agresor, e të mos e lejojë asnjëherë të përsëritet historia jonë e përgjakshme.

Përgjithmonë të përulur para sakrificës së të rënëve për liri!”, ka shkruar kreu i AAK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version