Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj kujtoi dëshmorët e brigadës 133 ‘Adrian Krasniqi’ të zonës Operative të Dukagjinit.
Haradinaj tha se kjo Brigadë që nga themelimi i saj ishte krahë̈ i fortë i luftës për liri.
Ai tha se me betejat e tyre Brigada 133 nderuan emrin e heroit Adrian Krasniqi, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë shqiptarët.
Haradinaj po ashtu tha se betejat e Prillit ishte koha kur luftëtaret e Brigadës 133, me heroizmin e tyre i bënë̈ të ditur armikut se pranvera e ardhshme do e gjejë Kosovën në liri.
Haradinaj ka vlerësuar lartë aktin e pajtimit të dy familjeve në hasmëri, Hakaj dhe Lipaj, që zgjodhën pikërisht Ditën e Dëshmorëve të Brigadës 133 të Zonës Operative të Dukagjinit, për të ndërprerë hasmëritë mes tyre.
Postimi i plotë:
Brigada 133 “Adrian Krasniqi” e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, ishte krah i fortë i luftës për liri. Me betejat e tyre, ata nderuan emrin e heroit Adrian Krasniqi, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mbarë shqiptarët.
Kujtojmë sot betejat e Prillit, kur luftëtarët e Brigadës 133, me heroizmin e tyre, i treguan armikut se pranvera e ardhshme do ta gjejë Kosovën në liri.
Liria erdhi disa muaj më pas, e ne përulemi para sakrificës së të rënëve, sakrificë e cila na motivon për të punuar për Kosovën e fortë e të mirëqenë, siç e ëndërruan ata.
Në këtë ditë të shënuar, përshëndes veprimin që në emër të gjakut të Dëshmorëve, u pajtuan dy familje, Hakaj dhe Lipaj. Le të shërbejë shembulli i tyre për të gjithë, si shembull atdhedashurie dhe respekti për ata që u sakrifikuan në themelet e lirisë së Atdheut.
Lavdi e përjetshme Dëshmorëve të Kombit! /Telegrafi/