Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili vjen nga koalicioni PDK, AAK, Nisma ka thënë se besimin që ka arritur ta marr nga qytetarët dhe subjektet politike do ta përdorë për të mirën e vendit.
Haradinaj i cili njëherësh është dhe kryetar i AAK-së, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës, me rastin e përkujtimit të 33 dëshmorëve rënë.
“Besimi që kam marrë nga qytetarët dhe disa subjekte politike do ta përdori për të mirën e vendit dhe jo për interesat politike të partisë”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj në këtë fjalim foli edhe për temat e ndjeshme aktuale në vend, ku mes të tjerash tha se kufiri i Kosovës është në Çakorr, ndërsa nuk do të ketë vend për Asociacion e as për Serbinë në Kosovë.
“Kosova është e vogël dhe nuk ka vend për asociacion, kufiri i Kosovës është në Çakorr, në Kosovë nuk ka vend për jug e për veri, në Kosovë nuk do të ketë vend për Serbinë”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë memorial ishte e pranishme Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kushari-Lila, e cila dje gjatë ditës ka nënshkruar koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Insajderi.