Site icon Telegrafi

Haradinaj: Krimet e masakrës së Tivarit u mohuan

Në 74- vjetorin e Masakrës së Tivarit, nën përkujdesjen e presidentit Hashim Thaçi, është organizuar akademi përkujtimore.

Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se masakra e Tivarit është ngjarja më e dhimbshme gjatë tërë këtyre viteve, duke shtuar se edhe sot e kësaj dite burrat e vrarë në këtë masakër nuk nderohen e as nuk kanë gjetur drejtësinë.

“Dje janë mbushur 74 vjet nga masakra e Tivarit. Pse duhet të shënohet kjo ngjarje tragjike? Sepse ky krim makabër është mohuar dhe këta njerëz dhe pasardhësit e tyre kurrë nuk kanë marrë drejtësinë. Djemtë dhe burrat tanë që u masakruan në Tivar as sot nuk nderohen edhe pas 74 viteve. 3447 burra janë vrarë në këtë masakër. Motivi i kësaj masakre është spastrimi etnik”, tha Haradinaj.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, tha se masakra e Tivarit është tragjedia më e madhe dhe vazhdimësi e krimeve të Serbisë.

“Është njëra nga tragjeditë më të përgjakshme e që ka edhe përmasa ballkanike. Ka qenë një vazhdimësi e krimeve të Serbisë prej luftërave ballkanike, por edhe një vazhdimësi çfarë ka ndodhur në Kosovë. Masakra e Tivarit është një paralajmërim se si një padrejtësi e vjetër po zëvendësohej me një padrejtësi të re”, ka thënë Hoxhaj.

Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë tha se masakra e Tivarit ishte e qëllimshme.

“Masakra e Tivarit nuk ishte një incident, kishte qartazi qëllimin. E vetmja mënyrë për t’u përballur me shqiptarët ishte të veprohet me brutalitet. Ende nuk është hedhur dritë ndaj kësaj ngjarje, nuk janë identifikuar as viktimat”, tha Syla./kp/

Exit mobile version