Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se krijimi i linjës ajrore Prishtinë-Beograd nuk është në kontekst me taksën 100 për qind.
Ai në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se interesimi për këtë linjë ka qenë i kahershëm.
“Çdo udhëtim ajror ka taksa të obligueshme ndaj aeroportit. Në letrën e qëllimit, nuk vendosim taksa shtesë përpos që i ka vet aeroporti. I japin raport të njëjtë kompanisë Lufthansa për udhëtimet nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas, e nuk është në kontekst me taksën 100 për qind. Interesimi për këtë ka qenë i kahershëm, si i palës gjermane apo Lufthansës, por këtu ka qenë angazhimi i drejtpërdrejt i ambasadorit Richard Grenell, të cilit i shprehim falënderim dhe siç shihet ka rezultat”, tha Haradinaj, përcjell Telegrafi.
Të hënën, në ambasadën amerikanë në Berlin është nënshkruar marrëveshja për krijimin e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Kjo është bërë në prezencën e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera. /Telegrafi/