Telegrafi

Haradinaj: Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë.

Sipas Haradinajt, vendi ynë duhet të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, shkruan Haradinaj.

Reuters kishte raportuar se Administrata amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Burimet i kanë thënë agjencisë se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Ëashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni. /Telegrafi/