Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar sot se Kosova shumë shpejt do të formojë institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, me të cilën bisedoi për procesin e krijimit të institucioneve të reja në vend pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
Haradinaj tha se Kosova shumë shpejt do t’i formojë institucionet e reja në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve.
Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për proceset e integrimeve euro-atlantike për Kosovën dhe rëndësinë e përshpejtimit të zbatimit të Agjendës së Reformës Evropiane në rrugën e integrimeve.
Haradinaj theksoi se agjenda e integrimeve euro-atlantike do të jetë në krye të prioriteteve në politikat dhe vendimmarrjen qeverisëse gjatë mandatit qeverisës katërvjeçar.