Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kur ka marrë postin e kryeministrit, Kosova nuk kishte sovranitet, pasi e kishte dorëzuar në tavolinën e bisedimeve pa asnjë kusht, duke mos përfituar asgjë nga BE-ja.
Haradinaj këtë deklaratë e bëri në takimin e sotëm të organizuar nga dega e AAK-së në Prishtinë.
Ai aty ka folur për dialogun me Serbinë, taksën dhe liberalizimin e vizave. Haradinaj ka thënë se qeverisja e tij e ka kthyer sovranitetin e Kosovës, që sipas tij ai ishte dorëzuar në tavolinën e dialogut me Serbinë.
“Ne e kemi dorëzuar sovranitetin vetëm në dialog, vetëm në tavolinën e zonjës Mogherini, pra pa marrë asgjë, pa u bë anëtar i BE-së, pa na trajtuar, pa na dhënë privilegjet që na takojnë, ne e kemi dorëzuar sovranitetin. Atë sovranitet që e kemi arrit më 17 shkurt 2008, atë sovranitet i cili ka mbërri me shumë dhimbje, me shumë mund, me shumë vuajtje, me shumë sakrifica, ne atë sovranitet tonin, pas asnjë kundërvlerë, e kemi dorëzuar në tavolinë të dialogut, dhe nuk ka pas më vendime në Kosovë, por vendimet kanë qenë atje. Nuk kemi qenë në vend, nuk kemi qenë të pavarur, nuk kemi qenë sovran. Ne kemi qenë thjesht temë në agjendën për dialogun… Kur e kam pa si e kemi dorëzuar sovranitetin, ..e kam pa si detyrë të parë, edhe një herë me kthye 17 shkurtin, me kthye sovranitetin… disa filluan me bë humor, thonin se është ai ‘sporteve të rënda’. Po jam i sporteve të rënda, se më në fund kemi ushtri si gji thë bota”, tha ai.
Haradinaj po ashtu tregoi se kanë filluar me punu për hapje të vendeve të punës dhe se tani qytetarët e Kosovës nuk shkojnë në Gjermani si azilant, por me viza të rregullta të punës.
“Kemi filluar me pa që dimë me punu, me rritë vende të punës. Jemi të qëndrueshëm, ai qe lëshon pe rrugës dihet ku përfundon. Nuk e kemi taksën vetëm taksë, e kemi qëndrim të drejtë me e mbrojt vetën, jemi të qëndrueshëm. Kemi rritje ekonomike në Kosovë. Asnjëherë më qytetari i Kosovës nuk niset azil me autobus të Hungarisë e Serbisë, por tani shkon me vizë pune. Kosovaret shkojnë me vizë pune, e jo azilant… Po thonë sa here do me na uru vizat, do ua uroj çdo ditë. Nuk është pak urimi i ministrit gjerman, ai e ka thënë fjalën në emër të Gjermanisë dhe Merkelit”, tha Haradinaj.
Në aktivitetin e organizuar nga dega e AKK-së në Prishtinë, në këtë parti janë 823 persona, raporton KP.