Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me shqetësim ka marrë lajmin për tërmetin që ka goditur Turqinë.
Haradinaj ka shprehur ngushëllimet ndaj shtetit turk, qytetarëve dhe familjeve të viktimave, transmeton Telegrafi.
“Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët atje. Institucionet e Kosovës janë të gatshme për ndihmat e nevojshme humanitare përfshirë edhe njësitë operacionale nga FSK-ja. Në këtë tragjedi Kosova qëndron pranë shtetit mik, Turqisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndryshe, nga tërmeti i fuqishëm që ka goditur të premten Turqinë, kanë humbur jetën 21 persona si dhe janë lënduar mbi 1 mijë tjerë. Epiqendra e tërmetit me 6.8 ballë, ka qenë në Elazig që është afro 550 kilometra larg Ankarasë./Telegrafi/