Site icon Telegrafi

Haradinaj komenton Rezolutën për dialogun dhe pritjen për punësim në Gjermani

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, pas homazheve para shtatores së heroit “Zahir Pajaziti”, ka thënë se në Kuvend po shihet një lojë mes partive politike, sipas tij më shumë për poena politik.

Haradinaj tha se nëse deputetët synojnë nxjerrjen e rezolutës atëherë duhet t’i harmonizojnë qëndrimet.

“Po shihet një lojë mes partive për poena sesa për qëllim. Nëse qëllimi është me nxjerr një rezolutë atëherë duhet të gjendet një mes. Mirë është me pas një pikë të përbashkët për dialogun”, ka thënë Haradinaj.

I pari i ekzekutivit po ashtu u përgjigj para gazetarëve në lidhje me rastin i cili dje mori shumë vëmendje, ku numër i madh i qytetarëve në Prizren prisnin para një kompanie e cila ofronte punë në Gjermani.

Haradinaj tha se kjo kompani është duke u hetuar nga organet kompetente.

Për liberalizimin e vizave, Haradinaj tha se Berlini zyrtar e njeh të vërtetën e Kosovës dhe në fund të vitit shumica në BE do ta përkrahin lëvizjen e lirë. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version