Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorin e Maqedonisë në Prishtinë, Ilia Strashevski, me të cilin diskutuan për sfidat dhe rrugëtimin e përbashkët të të dyja shteteve drejt perspektivës evropiane.
Haradinaj theksoi se marrëdhëniet diplomatike dhe ndër-institucionale të Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë janë të shkëlqyera, dhe se ato duhet të thellohen sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar.
Ai e njoftoi ambasadorin Strashevski se puna në përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në do të intensifikohet dhe do të përshpejtohen afatet e përmbushjes së obligimeve deri në qartësimin e saktë kohorë të perspektivës evropiane.
Ndërsa, ambasadori Strashevski, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për dinamizmin dhe energjinë e re që ka sjellë në logjikën qeverisëse të Kosovës, ofroi mbështetjen e plotë të Maqedonisë në agjendën evropiane të Kosovës, si dhe bashkëpunim të shtuar në fushën e diplomacisë ekonomike./Telegrafi/