Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje, miratoi Projektligjin që shfuqizon ligjin aktual dhe mbyll të gjitha lojërat e fatit, me përjashtim të lotarisë së Kosovës.
E menjëherë pas këtij vendimi, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, lidhur me këtë Projektligj.
Këtë e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Zyra e për Informim e kryeministrit.
“Kryeministri Haradinaj ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme me temën e vetme Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Haradinaj ka kërkuar që seanca të mbahet ditën e mërkurë më 03.04.2019 në orën 11:00.
Vendimi për mbajtjen e kësaj seance apo jo do të merret nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ditë më parë një rezolutë të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ishte kërkuar pezullimi i aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit si dhe plotësim/ndryshimi i ligjit përkatës.
Kjo rezolutë që mori mbështetjen e 74 deputetëve, përveç pezullimit të aktivitetit të lojërave të fatit, kërkoi nga Qeveria që të sjellë një ligj për t’i ndaluar ato. /Telegrafi/