Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të enjten ka kërkuar përkrahjen e deputetëve për shkarkimin e Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se dialogu dhe qeverisja në Kosovë janë në rrugë të gabuar, “e cila po i shkakton humbje dhe po i sjell goditje vendit tonë”.
“Muj me i listu humbjet edhe goditjet për Kosovën. Janë të shumta, i keni dëshmu e shpjegu shumë prej jush, po na i thonë mediat e po na i thonë edhe aleatët tanë. Nëse ne në Parlament e shohim qeverinë që po e udhëheqë vendin në drejtim të gabuar, po i sjell vendit humbje të njëpasnjëshme, si të veprojmë?”, është shprehur Haradinaj.
Sipas tij, Kuvendi duhet t’i marr përgjegjësitë dhe ta shkarkojë Qeverinë Kurti.
“Nëse dikush prej nesh ende shpreson se Kurti dhe qeveria e tij do ta nxjerrin vendin nga drejtimi humbës, jam i bindur se do të dalë gabim. Nuk mund të shpresojmë që do ta zgjidh situatën ai që e ka sjell Kosovën në pozitën e të ndëshkuarit. Besoj se është detyrë e Parlamentit që ta nxjerr Kurtin nga rruga e gabuar. Detyrë e të gjithë deputetëve. Ju lus shqyrtojeni se a është në rregull me vazhdu në këtë drejtim apo të gjithë ne ta ndihmojmë Kosovën e ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”.