Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka të jap dorëheqje menjëherë, pasi, sipas tij, ai ka propozuar një ofertë shkatërruese që i mundëson Serbisë të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre për pushtim të tokave shqiptare.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ofertomi i heqjes së taksës nga Qeveria Kurti pa kontratë finale për njohje reciproke po prodhon pasojat e para.
“Tashmë, ofertimi i heqjes së taksës 100% nga Qeveria Kurti pa kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues po prodhon pasojat e para. Ministri i Integrimeve Europiane Z. Reka paska propozuar kompromisin me Serbinë e që është dhënia e korridorit të tranzitit për në Adriatik apo kthimi i Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet edhe në Shqipëri. Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”, shkruan Haraidinaj.
Ai kërkoi që Reka të jap menjëherë dorëheqje, duke i quajtur këto deklarata të rrezikshme politike.
“Ky Ministër duhet menjëherë të japë dorëheqje para se t’i kërkohet ajo. Këto deklarata dhe sjellje të rrezikshme politike të Qeverisë së Mashtrimit, njëherë me heqje të taksës e tash me ofertën e qasjes në Adriatik, prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik”, shkruan Haradinaj. /Telegrafi/