Telegrafi

Haradinaj: Kërkesat e SBASHK-ut janë obligim moral por kërkojnë kohë!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e SBASHK-ut, të kryesuar nga kryetari, Rrahman Jasharaj, për të diskutuar kërkesat e këtyre të fundit si dhe për mundësinë e zbatimin e tyre.

Greva e nisur ditë më parë nga punëtorët arsimorë për zbatimin e kërkesës për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve ’90 sipas Kryeministrit Haradinaj, është e drejtë e tyre dhe se Qeveria këtë e sheh si obligim moral që duhet përfunduar e jo si formë presioni.

Sipas një njoftimi, përfaqësuesit e Sindikatës kërkuan që sa më parë të gjendet një formulë dhe të fillojnë së zbatuari kërkesat e tyre.

Nga ana tjetër Kryeministri Haradinaj ka thënë se “Qeveria është duke i trajtuar me seriozitet kërkesat e sindikatave të Arsimit. Zgjidhja dhe zbatimi i kërkesave tuaja është çështje të cilën po e trajtojmë me kujdes dhe përkushtim, por kjo çështje kërkon kohë”.

Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministri i Financave, Bedri Hamza. /Telegrafi/