Telegrafi

Haradinaj: Kërcënimet e Vuçiqit në llogari të Kosovës, nuk i ndihmojnë stabilitetit rajonal

Ish- shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),njëherit edhe kandidat për deputet, Daut Haradinaj ka reaguar pas kërcënime të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Haradinaj ka thënë se gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e Vuçiq në llogari të Kosovës, nuk i ndihmojnë aspak stabilitetit rajonal.
“Ngritja e kapaciteteve ushtarake në gjendje gatishmërie, me pretekst se “ndjehet i kërcënuar nga situata në Kosovë”, është gjuhë e rrezikshme, nga e cila ka pësuar i tërë rajoni, ndërkaq Serbisë i ka sjell humbje të luftërave dhe izolim”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Tutje, ai është shprehur se Kosova ka një forcë mbrojtëse moderne cila po merr pjesë në misione paqeruajtëse, me synim anëtarësimin sa më të shpejtë në NATO.

“Uroj që edhe Serbia sa më parë t’i bashkohet aleancës perëndimore, duke llogaritur paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e saj”, ka thënë ai.

“Neve jemi më shumë se të vendosur në rrugën tonë drejt perëndimit. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka kthim mbrapa”, ka përfunduar Haradinaj.