Site icon Telegrafi

Haradinaj: Jam i tronditur nga tragjedia në Gjilan, Qeveria e gatshme për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksidentit të rëndë në Gjilan.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se ndihet i tronditur nga kjo tragjedi ku humbi jetën një person dhe 20 të tjerë u lënduan.

“Thellësisht i tronditur nga tragjedia e sotme në qendër të Gjilanit, ku humbi jetën një person dhe 20 të tjerë u lënduan. Familjes së personit që ka humbur jetën i shprehim ngushëllimet më të sinqerta derisa të lënduarve shërim sa më të shpejtë. Nga informatat që kemi marrë, kuptuam se aksidenti ndodhi pasi një kamion për shkak të problemeve teknike, ka aksidentuar 8 vetura dhe kalimtarë të rastit”, ka shkruar ai.

Haradinaj u ka bërë thirrje organeve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet për ta hetuar rastin.

“U bëjë thirrje organeve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për të parandaluar që rastet e tilla të ndodhin në të ardhmen. Qeveria e vendit, institucionet përkatëse, janë në gjendje gatishmërie për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme, për të prekurit nga kjo tragjedi”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version