Site icon Telegrafi

Haradinaj: Jam krenarë që sot Ushtria jonë është vlerë e shtuar e sigurisë në rajon dhe botë

“Të jesh në paqe me vetën dhe fqinjët, do të thotë se vlerat tona të traditës dhe lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e prirë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, janë vlera përbërëse të lirisë, por po ashtu edhe vlera që bashkohen me vlerat perëndimore”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 27 Nëntorit “Dita e Forcës”, që u mbajt në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se ditëlindja e parë si ushtri e rregullt është nderi i këtij populli dhe këtij atdheu.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu mirënjohje të thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë, duke thënë se falë shpirtit tonë liridashës dhe mbështetjes së botës demokratike, konform idealeve universale të lirisë, sot jemi vet të lirë dhe jetojmë në paqe me të tjerë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, familjarë të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe personalitete të tjera të institucioneve vendore e ndërkombëtare. /Telegrafi/

Exit mobile version