Site icon Telegrafi

Haradinaj-Jahjagës: Është koha e fundit që Kosova të krijojë ushtrinë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, Daut Haradinaj, iu ka drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me një kërkesë publike për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Sipas tij, është koha fundit që Kosova t’i kompletojë mekanizmat e sigurisë.

“E nderuara Presidente Jahjaga!

Duke e parë situatën e sigurisë në rajon dhe në mënyrë të posaçme trendet negative për Kosovën, qoftë nga elementë nacionalë shovenistë qoftë radikalë fetarë, sot është koha e fundit, që Kosova t’i kompletojë mekanizmat e sigurisë së vet. Si deputet dhe Kryetar i Komisionit për Siguri i Kuvendit të Kosovës, dua të shpreh shqetësimin tim për mostransformimin FSK-së në FAK! Justifikimet e qeveritarëve për shtyrjen e krijimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, janë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”, thuhet në kërkesën e tij të dërguar për mediat.

Sipas Haradinajt, në të njëjtën kohë, partia të cilës i përket ai, AAK-ja dhe lidershipi i saj, janë të përcaktuar që të ndihmojnë në të gjitha format e drejtimet, që edhe Kosova, të bëhet me ushtrinë e saj.

“Përtej dallimeve e shqetësimeve tona si parti opozitare, konsiderojmë se transformimi i FSK-së është çështje mbipartiake dhe si e tillë edhe duhet të trajtohet. Shpresoj shumë në një përgjigje të shpejt e pozitive!

Me respekt Daut Haradinaj, Kryetar i Komisionit pë Siguri në Kuvendin e Kosovës!”, ka thënë  Haradinaj.

Exit mobile version