Telegrafi

Haradinaj iu shkruan ambasadorëve për taksën, arsyeton vendimin e Qeverisë ndaj produkteve serbe

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj iu ka dërguar letër me fakte dhe argumente të listuara për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ambasadorëve të akredituar dhe zyrtarëve të Zyrave Ndërlidhëse në Kosovë.

Haradinaj në një postim në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.

Ai po ashtu thotë se Qeveria e Kosovës u bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që të detyrojnë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën të përmbushin angazhimet e tyre sipas CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera.

Lexoni tekstin e plotë të kryeministrit, Ramush Haradinaj:

“Sot, u kam dërguar ambasadorëve të akredituar dhe zyrtarëve të Zyreve Ndërlidhëse në Kosovë, letër me fakte dhe argumente të listuara për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e masës prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Letra ka përmbajtjen vijuese:

KOSOVA I BËN THIRRJE KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR TË MBËSHTESË PËRPUTHSHMËRINË ME MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

Më 21 nëntor 2018, Kosova vendosi 100% tarifë doganore për të gjitha mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ky vendim është marrë në pajtim me nenin 18 të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Vendimi është një përgjigje ndaj veprimeve të vazhdueshme destruktive të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës që kërkojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës.

Republika e Kosovës beson fuqimisht se dialogu i bazuar në vullnetin e mirë, respektin e ndërsjellë dhe besimin e mirë është e vetmja mënyrë për të ndërtuar besimin midis shteteve dhe popujve, duke nxitur paqen afatgjate, forcimin e stabilitetit rajonal dhe rritjen e prosperitetit.

Prandaj, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar fuqimisht për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse afatgjate të paqes me Serbinë, e cila adreson të gjitha çështjet politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare dhe kulturore.

Kosova ka zbatuar vazhdimisht dhe vendosmërisht dhe ka respektuar të gjitha detyrimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë CEFTA-n dhe SAA-në e saj – dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

Qeveria e Kosovës u bën thirrje përfaqësuesve të BE-së, si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që të detyrojnë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën të përmbushin angazhimet e tyre sipas CEFTA-s dhe marrëveshjeve të tjera.

ARSYJET PËR VENDOSJEN E TARIFAVE DOGANORE

Neni 18 i CEFTA-s u lejon anëtarëve të saj të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për “mbrojtjen e interesave thelbësore të sigurisë ose për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare ose politikave të brendshme”. Serbia, e mbështetur nga Bosnja dhe Hercegovina, vazhdimisht dhe në mënyrë aktive përpiqet të minojë sigurinë, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Veprimet e saj shkelin zotimet e detyrueshme ligjore dhe politike, duke përfshirë Marrëveshjen e Brukselit mbi Normalizimin e Marrëdhënieve. Këto veprime kërcënuan interesat thelbësore të sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ndër më të fundit, veprime të tilla janë si më poshtë:

SHKELJET E TREGTISË SË LIRË QË TANI JUSTIFIKOJNË TARIFAT DOGANORE

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë shkelur në mënyrë të përsëritur CEFTA-n dhe nuk kanë reaguar ndaj ankesave të sjella nga Kosova. Kosova i është përmbajtur rreptësishtë kushteve të CEFTA-s. Megjithatë, veprimet e Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës kanë bërë të kotë krijimin e një zone të ligjshme të tregtisë së lirë. Shkeljet më të fundit përfshijnë:

o Abuzojnë me procesin e certifikimit sanitar dhe fito sanitar duke marrë mostrat nga çdo kamion i prodhuesit të pijeve, në krahasim me praktikën standarde të inspektimit të 3-5 kamionëve për çdo 100.

o Nuk i njohin analizat e testimit të eksportuesve kosovarë.

o Refuzojnë dhënien e licencave për mallrat e specializuara të bëra në Kosovë, siç janë prodhimet farmaceutike.

o Refuzojnë të njohin certifikatën e origjinës të lëshuar nga autoritetet e Kosovës dhe kërkojnë një vërtetim të origjinës së mallrave që do të lëshohet nga një autoritet serb, duke shkelur ligjin e Kosovës, ligjin serb dhe atë boshnjak dhe CEFTA-n.

PËRFUNDIMI

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj parimit të tregtisë së lirë. Megjithatë, tregtia e lirë kërkon respekt të ndërsjellë, bashkëpunim të vërtetë dhe reciprocitet. Republika e Kosovës për shumë vite ka demonstruar durim të konsiderueshëm përballë armiqësisë gjithnjë në rritje dhe provokimit. Tarifat e vendosura më 18 nëntor janë rezultati i pashmangshëm i veprimeve të tilla”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/