Site icon Telegrafi

Haradinaj ia rikujton Edi Ramës: Taksa në “Rrugën e Kombit” është gabim, e dënon Kosovën me 13 milionë euro në vit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë sot se vendosja e taksës në “Rrugën e Kombit”, është gabim i madh.

Ai shtoi se kjo taksë, i ka vendosur dënim marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri prej 13 milionë eurosh për qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave.

“Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Sikurse këto 13 milionë euro t’i kishim investuar në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë jam i sigurt që prej atyre 450 milionëve Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë. Kjo tregon se ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë Kosovë – Shqipëri por përkundrazi i kemi vendosur vetës pengesa duke e fajësuar njëri tjetrin”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Ai theksoi se përkundër vështirësive që na presin ose e presin qeverinë e ardhshme, do të ishte shumë gabim nëse qeveria e ardhshme mendon ta heq taksën pasi atë nuk mund ta heq Qeveria e Kosovës por vetëm Serbia me njohjen e shtetit tonë. /Telegrafi/

Exit mobile version