Me rastin e 24-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Haradinaj tha se Prekazi është vendi ku ka ndodhur kthesa për shqiptarët, pra kthesa e lirisë.
“Jemi në nderim në Prekaz, në vendin ku ka rënë Komandanti Legjendar, Adem Jashari, familja Jashari, në vendin ku ka ndodhur kthesa për shqiptarët, pra kthesa e lirisë. Jemi në vendin e shenjtë të shqiptarëve, do të vijmë çdo herë, do të përulemi me respekt, të vetëdijshëm se sa e shtrenjtë është liria, poashtu do të kujdesemi që të veprojmë, mbrojmë dhe forcojmë lirinë dhe Kosovën”, tha Haradinaj.
Në Prekaz kanë bërë homazhe sot edhe krerët e shtetit, liderë politikë të opozitës dhe qytetarë të shumtë. /Telegrafi/