Qeveria e Kosovës me shumicë votash ka miratuar heqjen e pjesshme të taksës 100% ndaj Serbisë.
Kjo do të thotë se taksa do të hiqet për lëndën e parë, derisa nga 1 prilli pritet të hiqet tërësisht.
Ndaj kësaj ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se qeveria në largim nuk ka mundur të ikë pa e larguar taksën, duke zhvlerësuar kështu kundërvlerën finale për marrëveshjen me Serbinë.
Ai gjithashtu ka thënë se me këtë veprim, qeveria e humbi plotësisht kredibilitetin te partnerët ndërkombëtar, e posaçërisht te SHBA-ja.
“Të nderuar qytetarë, Qeveria në largim nuk mundi të ikë pa e hequr taksën! Në pikën 1 hiqet taksa për lëndën e parë kurse në pikën 3 të vendimit obligon veten për heqje të plotë të taksës me 1 prill. Me këtë e zhvlerësoi kundërvlerën për marrëveshjen finale dhe e humbi plotësisht kreditin te partnerët ndërkombëtarë, e posaçërisht te SHBA-ja. Ashtu si e kishte fillimin e turpshëm, Qeveria në ikje gjithashtu po largohet me turp”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/