“Helena Kadare, Ismail Kadare, i kanë dhënë kombit tim, lexuesve, vlerën më të lartë në letërsi, na kanë ndihmuar neve të jemi ata që jemi sot”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që pati sot me shkrimtaren Helena Kadare.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se për të është një ditë e veçantë, një ditë e bukur në jetën e tij, për faktin se priti në Qeverinë e Kosovës, zonjën Helena Kadare.
Kryeministri Haradinaj, në shenjë falënderimi për veprën e çmuar, dekoroi zonjën Helena Kadare me Hartën e Artë të Kosovës.
“Një meritë e posaçme për Helenën, Ismailin dhe një falënderim i posaçëm i gjithë shqiptarëve kudo që janë, është se iu kanë ndihmuar shumë popujve të tjerë të botës që të dinë për ne dhe ta dinë kush jemi”, vlerësoi Kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, shkrimtarja Helena Kadare, e cila u shpreh shumë e emocionuar për nderin që ia bëri Kryeministri Haradinaj, tha se është pak të thuhet që është e nderuar, sepse siç theksoi ajo, Kosova për të është një gjë e veçantë dhe çdo ardhje këtu, është një gëzim i veçantë që nuk mund të përshkruhet me fjalë.
“Kjo që po bën kryeministri sot, z.Haradinaj më nderon jo shumë, por nuk gjej dot fjalën e përshtatshme për ta thënë se çfarë gjëje e bukur dhe e jashtëzakonshme është kjo”, tha shkrimtarja Kadare. /Telegrafi/