Telegrafi

Haradinaj hap biznes të ri në ndërtimtari, posedon mbi 1 milion euro patundshmëri

Ish-kryeministri i Kosovës, kryetari dhe deputeti i Kuvendit nga AAK, Ramush Haradinaj ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit.

Haradinaj në deklarimin e pasurisë ka bërë të ditur se ka hapur një firmë ndërtimore “HCC” SH.P.K bashkë me bashkëshorten e tij Anitën, me kapital themeltar në vlerë 1 mijë euro.

Haradinaj ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milionë e 064 mijë e 300 euro.

Ai ka deklaruar se ka një shtëpi banimi në vlerë 300 mijë euro, shtëpi familjare-Kulla në vlerë 270 mijë euro, tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro, tokë, në vlerë 27 mijë e 300 euro, shtëpi banimi në vlerë prej 202 mijë euro, banesë në vlerë 70 mijë euro dhe një villë në vlerë 120 mijë euro.

Kryetari i AAK-së gjithashtu ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë 8 mijë euro, dhe 52 mijë e 984 euro para të gatshme në bankë së bashku me bashkëshorten.

Haradinaj sikurse edhe qytetarët e shumtë posedon tri kredia në bankë në vlerë 152 mijë e 564 euro.

Të hyrat vjetore të kreut të AAK-së, kapin shifrën e 59 mijë e 353 euro, përfshirë këtu pensionin invalidor, qeran, pagën e bashkëshorten në RTK, ELSIG. /Telegrafi/