Site icon Telegrafi

Haradinaj: Gjermania partner i rëndësishëm i Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelares Gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe normalizimin e dialogut me Serbinë.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj i ka njoftuar këshilltarët Hecker dhe Lüttenberg, për progresin e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Agjendën e Reformave Evropiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Kryeministri Haradinaj, me këtë rast ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe tani në shtetndërtim, duke thënë se bashkëpunimi bilateral në të gjitha fushat është i rëndësishëm për vendin”, thuhet në njoftim.

“Gjermania është një nga partnerët politik dhe ekonomik të Kosovës, e cila i ka dhënë mbështetje në momente të vështira dhe tani në fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Për këtë u jemi mirënjohës”, citohet kryeministri Haradinaj. /Telegrafi/

Exit mobile version