Site icon Telegrafi

Haradinaj: Gjatë qeverisjes sime, Kosovës i ka ardhur era Kosovë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka organizuar një pritje për nder të 28 Nëntorit për veteranë, invalidë, familje të dëshmorëve, të burgosur politikë.

Me këtë rast, Haradinaj ka përkujtuar se ky organizim për festën e madhe të kombit shqiptar organizohet në momente vështira për shkak të viktimave nga tërmeti në Shqipëri.

“Kemi dhimbje për bashkëkombësit tanë, për të gjithë ata që sot janë në ankth, por do të jemi gjithnjë bashkë me ta. E tani që kufijtë nuk na ndajnë gjithherë do të jemi bashkë. Sot kemi mundësi të kujtohen shumë momente të historisë, nëntorin e Skënderbeut, nëntorin e Ismail Qemajlit, nëntorin e Adem Jasharit. UÇK është më meritore për Kosovën e pavarur. Aleatëve tanë që na kanë ndihmuar iu themi faleminderit. Dy vjet qeverisje ne kemi pasur sfida shumë, nuk them që iu kem dalë borxhit ndaj familjeve të dëshmorëve, por nuk do të ndalemi që kategoritë e lirisë të ndihen krenarë për ato që kanë bërë”, tha ai.

Haradinaj edhe në përvjetorin e 107 të shtetit shqiptar nuk ka lënë pa përmendur taksën e vendosur tash e një vit ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, për të cilën edhe një herë u shpreh kategorik kundër heqjes së saj.

“Kisha fol edhe për taksën, po ju kam lodh. Ata që tentojnë të na dobësojnë do të dështojnë. Nuk do të mund askush të na përçajë. Po punohet intensivisht të na përçajnë, mos të mbetet askush i UÇK-së në këmbë. Për këta që janë në tokë nuk do të mund të më thyejnë, nuk kam me i qitë barrë bashkëluftëtarëve të mi”, porositi Haradinaj.

Ai tha se gjatë qeverisjes së tij dyvjeçare sa ka udhëhequr vendin, ‘Kosovës i ka ardhur era Kosovë dhe kurrë më Kosovë nuk ka qenë’.

Xhavit Jashari nga Shoqata e familjeve të dëshmorëve tha se në nëntor janë shumë festa që i bashkojnë shqiptarët.

“Sot nuk është lehtë me fol se ndjenjat i kemi të përziera pas asaj që ndodhi te vëllezërit në Shqipëri. Por, kjo ngjarje le të na shërbejë që të jemi unikë në interesin e përgjithshëm me interesat e çështjes kombëtare. Dihet që kjo qeveri ka marrë vendime të rëndësishme për vendin, duke respektuar luftën. Ne do të jemi çdo herë pranë të tillave”, tha ai.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari.

“Në këtë 28 nëntor lidhen shumë ngjarje. Mua më mbetet vetëm t’ju dëshiroj shëndet dhe gjithë të mirat në jetë. Lavdi për të gjithë ata që ranë për lirinë e këtij vendi. U shprehi ngushëllime për Shqipëri”, tha ai.

Exit mobile version