Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, sonte shënoi 105 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë eveniment të ftuar ishin mbi 1500 zyrtarë të lartë të shtetit dhe përfaqësues të tjerë.
Ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi duke folur për historinë shqiptare, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë të bashkuara dhe kanë synim rrugëtimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se mund, sakrificë dhe gjak u derdhë për këtë ditë.
“Kosova dhe Shqipëria nuk janë të ndara, pavarësisht se mundohen të na ndajnë, ne jemi të bashkuar. Jemi të bashkuar në ëndrrën e madhe të bashkimit tonë kombëtar, drejt një të ardhme evropiane, pa kufi, pa doganë dhe pa pengesa e barriera, që shpeshherë ne i vendosim vetës. Do të jemi bashkë në Bashkimin Evropian, sepse ëndrra jonë është evropiane. Shqipëria dhe Kosova, dy shtete, por një komb do të japin shembullin e tyre të një bashkëpunimi, të qëndresës për të qenë pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Minxhozi.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se gjaku, flamuri dhe gjuha “na kanë bërë shqiptarë, dhe zot shtëpie në Kosovë”. Ai ka shtuar se edhe lufta e UÇK-së në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, i bëri shqiptarët zot shtëpi ne Kosovë.
“Gjaku, gjuha dhe flamuri na kanë bërë shqiptarë me mijëra vite, na mbajnë sot shqiptarë dhe do të jemi gjithnjë. Pra, gjaku, gjuha dhe flamuri, por pavarësia e Shqipërisë, 28 Nëntori në bëri zoti shtëpie një pjesë të atdheut tonë. Pavarësia e Kosovës, falë sakrificës shekullore të Kosovës dhe shqiptarëve ku do që janë, e luftës heroike të UÇK-së, e prierë nga komandanti legjendar Adem Jashari, na bëri zot shtëpie në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se ende shqiptarët janë të ndarë, por janë në rrugëtimin si komb dhe ajo që është me rëndësi, është fuqia shqiptare si komb me i respektuar vlerat e se cilit, raporton KosovaPress./Telegrafi/