Kandidati i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Gjakova do të ketë një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke u bërë një nyje e rëndësishme infrastrukturore dhe investuese.
Në një tubim elektoral, Haradinaj theksoi se Autostrada e Dukagjinit, që do të lidhë Prizrenin me Mitrovicën, do të kalojë përmes Gjakovës, duke e bërë atë një arterie kryesore të zhvillimit ekonomik. Ai gjithashtu premtoi se Hekurudha Fushë Kosovë – Durrës do t’i japë Gjakovës një lidhje të drejtpërdrejtë me portin më të madh të rajonit, duke lehtësuar tregtinë dhe transportin.
Haradinaj njoftoi edhe për hapjen e Aeroportit të Gjakovës për fluturime komerciale, duke e shndërruar atë në aeroportin e dytë të vendit. Po ashtu, ai premtoi përfundimin e rrugës Gjakovë-Klinë brenda 6 muajve të parë të qeverisjes së tij.
Një tjetër projekt i rëndësishëm i paralajmëruar nga lideri i AAK-së është krijimi i Zonës së biznesit amerikan, që sipas tij, do ta shndërrojë Gjakovën në një qendër të madhe shpërndarëse rajonale. Ai shtoi se industria prodhuese ushtarake dhe poligoni i NATO-s në brezin kufitar do ta bëjnë Gjakovën një qendër të sigurisë rajonale.
Duke folur për programin ekonomik të partisë së tij, Haradinaj premtoi:
-Paga mesatare mbi 1000 euro dhe pension minimal prej 500 eurosh
-Subvencione të trefishuara për bujqit
-Mbështetje financiare për çdo punëkërkues deri në punësim
-Uljen e çmimit të energjisë për 20% dhe furnizim pa ndërprerje
-Pensione 500 euro për çlirimtarët, pa shkëputje nga puna
-Grante pa kthim për të rinjtë që hapin biznese
Në fund, Haradinaj theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe aleancës së përhershme me SHBA, duke thënë se kjo do të sigurojë zhvillim dhe siguri të qëndrueshme për vendin.
Ai ftoi qytetarët që më 9 shkurt të votojnë 137 – për Kosovën Fituese.