Telegrafi

Haradinaj fton investitorët britanikë në Kosovë

Haradinaj, duke e theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe duke elaboruar potencialet dhe resurset që janë në Kosovë, kërkoi nga Lordi Marland që të inkurajojë investitorët dhe bizneset britanike për të investuar në Kosovë, theksohet në komunikatën e AAK-së.

Ai tha se Kosova është vend mik i Mbretërisë së Bashkuar dhe në çfarëdo rrethane do ta vlerësojë lartë kontributin e këtij shteti për lirinë, ndërtimin institucional dhe tash, mbi të gjitha, për ngritjen dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Përveç në fusha të tjera, kryetari Haradinaj ka thënë se bashkëpunimi ekonomik midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe është me interes të veçantë.

“Haradinaj ka garantuar se si në kuadër të rolit aktual në skenën politike të Kosovës, e sidomos me rastin e marrjes së përgjegjësive në qeverisjen e vendit, për investimet e huaja, e në veçanti për investitorët britanikë, nuk do të ketë barriera, por përkundrazi do të krijohen lehtësi dhe garanci shtetërore për investimet e tyre”, thuhet në komunikatë.

Vizita zyrtare treditore e Haradinajt në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, përfshiu takime të rëndësishme dhe të niveleve të larta, përfshirë ministrin për Evropë në kabinetin e kryeministrit David Kamerun, David Lidington, pritja në Dhomën e Lordëve nga Lordi Bownes dhe takime të tjera në Parlamentin Britanik, me deputetë të ndryshëm, ku u theksua nevoja për bashkëpunim intensiv midis Britanisë së Madhe dhe Republikës së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite pati edhe takime të tjera të rëndësishme me zyrtarë të lartë të BERZH-it, përfaqësues institucionesh të ndryshme, të interesuara për bashkëpunim me Kosovën dhe media prestigjioze ndërkombëtare.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e ish-kryeministrit Haradinaj, pas shumë vitesh, në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. /Telegrafi/