Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, Salvatore Farina tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për procesin e tranzicionit në ushtri.
Haradinaj, e njoftoi shefin e Shtabit, Salvatore Farina, për progresin që e ka bërë Kosova në proceset shtetndërtuese, për progresin në ekonomi dhe në fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe me theks të veçantë, për gatishmërinë e FSK-së drejt tranzicionit të saj në ushtri, si një forcë profesionale, multietnike dhe sipas standardeve të NATO-s dhe një forcë që do të rreshtohet krah ushtrive të paqes, në ofrimin e paqes dhe sigurisë.
Kryeministri e falënderoi gjeneralin Italian, për kontributin e tij dhënë gjatë shërbimit në Kosovë, si komandant i KFOR-it, duke i kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të tij dhe të shtetit italian për procesin euroatlantik dhe proceset tjera të rëndësishme për vendin.
“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për përkrahjen dhe besimin që i keni dhuruar gjatë mandatit tuaj si udhëheqës i forcave paqeruajtëse në Kosovë dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë shteti i Italisë në të gjitha proceset shtetndërtuese dhe integruese të vendit”, tha kryeministri Haradinaj, gjatë takimit, duke theksuar se Qeveria është duke u angazhuar që të fuqizojë partneritetin politik dhe ekonomik me Italinë, duke ofruar ambient të përshtatshëm për investimet direkte të huaja.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Italisë, Salvatore Farina, duke vlerësuar progresin dhe të arriturat e Kosovës në fushën e sigurisë dhe në fusha të tjera të rëndësishme, tha se Italia do të jetë përkrahëse e Kosovës në të gjitha proceset.
Kryeministri Haradinaj e ka nderuar Gjeneralin Farina me medaljen e Skënderbeut, në nderim të kontributit të tij të dhënë, derisa ka pranuar nga Ushtria Italiane medaljen e nderit, si shenjë falënderimi për bashkëpunimin e deritashëm.
Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori Italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha. /Telegrafi/