Telegrafi

Haradinaj flet për vizitën e sotme të Johannes Hahn

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot rreth vizitës së Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, që do t’i bëjë sot Kosovës.

Hahn do të takohet edhe me Haradinaj sot pasdite. Haradinaj ka theksuar se mirëpret çdo këshillë apo ide që do të vie nga komisioneri Hahn.

“Kosova ka të arritura në agjendën evropiane, MSA-në dhe agjendën ERA. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë. Njëkohësisht kemi edhe vizita për taksën. Taksa ndërlidhet me njohjen nga Serbia dhe jo me këto dy të parat. E mirëpresim çdo sugjerim apo këshillë me bisedua me komisionerin Hahn”, tha Haradinaj.

Ai këto komente i bëri pasi vendosi lule te shtatorja e Skënderbeut në qendër të Prishtinës, në shënim të përvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar.

Hahn po e viziton Kosovën në një kohë kur qeveria e vendit është vënë nën presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për ta hequr taksën prej 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, të vendosur dy muaj më parë. /Telegrafi/