Telegrafi

Haradinaj flet për shtesat e prokurorëve

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës ka folur për shtesat e pagës për prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Haradinaj tha se prokurorët janë njerëz me pushtet dhe me këtë vendim vetëm po i përkrahin për punën e tyre.

Ai theksoi se ky vendim nuk është i ri, vetëm vendim ekzistues.

“A tua ndalim rrogat? Është e pakuptimtë të shkohet në këtë frymë. Prokurorët janë njerëz me pushtet, dhe po i japim një përkrahje, që e çmojmë punën e tyre. Ju siguroj që është kështu. Edhe policit nëse me një pagë të vogël e len në rrugë, qysh ta luftojnë ata të keqen? Ky nuk është vendim i ri, por vendim ekzistues”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj të hënën ka bërë të ditur se prokurorët specialë nga e marta do të kenë edhe shtesat e pagës që do t’u japë atyre më shumë konfidencë që të zbulojnë dhe ndjekin veprat e korrupsionit.

Ndryshe sot në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës për aprovimin e shtesave për prokurorët e Prokurorisë Speciale. /Telegrafi/