Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, foli para medieve në lidhje me marrëveshjet e Republikës së Kosovës, dhe asaj të Serbisë, për linjën ajrore, dhe atë të hekurudhave.
Haradinaj tha se këto marrëveshje janë ecje përpara për Kosovën, dhe ky skepticizëm me të cilat po shihen marrëveshjet janë vetëm për shkak se nuk jemi mësuar të dëgjojmë lajme të mira.
Sipas kryeministrit në detyrë, secila marrëveshje me Serbinë, i paraprinë marrëveshjes finale, që është njohja reciproke.
“Ato janë në interesin tonin, për qarkullim. Të gjitha këto marrëveshje janë ecje përpara, natyrisht për këtë është Kosova, janë forcim i joni. Ka një skepticizëm sepse nuk jemi mësu me lajme të mira. Është e mirëseardhur për ne, sa më shumë tema që hjeken mes neve e Serbisë, atëherë mbetet ma pak, e ma pak do të thotë njohja e Serbisë. Vjen edhe dita kur do të ndodh një takim intensiv deri në marrëveshje, e jo një dialog i stërzgjatur me Mogherinin”, tha Haradinaj.
Haradinaj u shpreh se shpreson që BE-ja ta shfrytëzoj energjinë e të dërguarit të posaçëm për dialogun e Kosovës me Serbinë, Richard Grenell, për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
“Shpresoj që kjo energji e Ambasadorit Grenell të shfrytëzohet nga BE por edhe nga Berlini zyrtar. Sepse kjo punë kërkon dakordimin e SHBA-ve, por edhe të BE-së që garanton një kosto financiare. Shpresoj që kjo energji të bashkohet që ta shkurtojmë kohën. Kjo nuk është një marrëveshje e shpejt sepse kemi pritur 20 vjet. Kostoja financiare ka me i ra BE-së, por mendoj që do t’ia vlejnë sepse me rëndësi është që të bëhet marrëveshja”, tha Haradinaj.
Ai gjithashtu përmendi edhe vizitën e tij në SHBA, të cilën ka planifikuar ta realizoj gjatë javës së ardhshme, për të cilën tha se përveç se do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit, ka edhe një agjendë tjetër intensive, të cilën për momentin nuk mund ta zbuloj për publikun.
“Është mirë sa ma shumë e sa ma shpesh me shku prej Kosove në Amerikë. Kësaj here shkoj për Lutjet e Mëngjesit, por edhe kam një agjendë tjetër, që nuk e kam definitive që ta nxjerrë në publik, por së shpejti besoj mund ta nxjerrim”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/