Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar sot Ilir Bytyçin, vëllanë e Yllit, Agronit dhe Mehmetit, pjesëtarë të batalionit “Atlantiku” të vrarë nga forcat serbe.
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se familja Bytyqi e ka përkrahjen e pa rezervë të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, për ta çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar.
“Në thelb të sakrificës së vëllezërve Bytyqi, të vrarë nga forcat serbe, qëndron dimensioni i vërtetë i luftës për Kosovën. Heronjtë e Kosovës, Ylli, Mehmeti dhe Agroni braktisën jetën e ndërtuar në ShBA, duke u bërë pjësë e Batalionit ‘Atlantiku’, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Familja Bytyqi e ka përkrahjen e parezervë të Qeverisë dhe shtetit të Kosovës në betejën e dytë për ta çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar. Ilirit, duke i shprehur konsideratat më të larta për kontributin e çmuar të vëllezërve të tij për liri, i dhurova Medaljen Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, ka shkruar kryeministri, Ramush Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/