Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën për “Epopenë e UÇK-së” me një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se përkujtojnë dhe përulen para veprës së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.
“Ne sot themi urime për ringjallje, sepse një familje u shua që të ngjallet një popull. Në Prekaz falë sakrificës supreme ka ndodhur kthesa historike. Jasharët dhanë krejt çka kishin të tyren për ne. Adem Jashari ishte zemra e orës shqiptare, që lëvizi përpara akrepat e historisë duke i lëvizur epokat. Ai zgjohej kur të tjerët binin. Të gjithë ne sot, lider institucional, opozitar, siç ishim bashkë dje në përpjekjet për liri, siç jemi sot bashkë në kujtesë të Jasharajve, duhet të bashkohemi nesër e kurdo, për të drejtën tonë, sepse ja kemi borxh atdheut, komandantit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se, sot Kosova ka aleatët dhe miqtë e saj, falë dëshmorëve.
“Falë komandantit Adem Jashari dhe dëshmorëve, pas mijëra viteve histori, Kosova ka miqtë e përjetshëm, ka SHBA-në dhe aleatët, por edhe ushtrinë e mandatuar nga ju. Kosova sot ka më shumë siguri e liri për vete, i bënë të ndjehen të lirë komunitetet. Kosova sot i bëhet krah ushtrive dhe popujve për të ndihmuar paqen në botë. Lavdi”, ka thënë ai./Telegrafi/