Presidenti i Kosovës, së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacollin, janë takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti Thaçi ka falënderuar Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vjetet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Si shteti më pro-evropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Evropë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun evropian.
Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.
Kryeministri Haradinaj tha se në takim është biseduar për rrugëtimin evropian të Kosovës, duke e shprehur përkushtimin e vendit për të ardhmen evropiane.
“Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin drejt familjes së madhe evropiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian duhet të përshpejtohet me veprime konkrete. Kosova po e përmbushë agjendën evropiane”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndërkaq, Tusk, vlerësoi se BE-ja duhet të dëshmojë mbështetjen e palëkundur për perspektivën e rajonit dhe se Brukseli përshëndet çdo progres që ka bërë Kosova.