Nasim Haradinaj nga OVL UÇK, ka thënë se është turp për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale.
“Ma tradhti se me ngritë gishtin e me votua këtë gjykatë nuk ka…Ata marre është me i pa edhe në televizion”.
Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se kidnapimi i Remzi Shalës nga EULEX-i ka qenë pjesë e një skenari.
“Ky kidnapim ka qenë pjesë e një skenari që ata të përleshen me familjarët e Shalës e më pas të shkaktohen trazira”.
Nënkryetari i OVL UÇK ka thënë se Gjykata Speciale është raciste ndaj shqiptarëve.
“Unë e di shume saktë se kush do të ftohet nga kjo gjykatë. Mund të ftohet çdo pjesëtar i UÇK-së. Bile mund të ftohen edhe këta veteranët e rrejshëm që gjenden në ato lista”.
Haradinaj ka thënë se kanë pasur mbështetje nga një pjesë e deputetëve për rishqyrtimin e Gjykatës Speciale, por disa nga ta janë frikuar dhe janë tërhequr.
“Kishim marrëveshje me deputetin e PDK-së, Nait Hasani, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kishim edhe mbështetje nga përfaqësuesin e Vetëvendosje. Rrjedha të tjera do të ishin sot po të ndodhte ai shfuqizim”.
“…Edhe sot jam për të shfuqizuar Gjykatën Speciale”, tha ndër të tjera Nasim Haradinaj./Telegrafi/