Site icon Telegrafi

Haradinaj: Është momenti i fundit të bëhemi bashkë për një ambient sa më të pastër

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha sot se Qeveria është partner i të gjithë në procesin e nisur për një ambient sa më të pastër.

Haradinaj në tryezën  me kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës, ku u diskutua për zhvillimet dhe planet në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe GIZ-i tha se është e pamundur që aksioni për pastrimin e Kosovës të ketë sukses pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, kryetarëve të komunave, nivelit qendror dhe atij lokal, organizatave dhe të gjithë atyre që e duan një Kosovë të pastër.

Ndonëse e iniciuar nga Zyra e Kryeministrit, Kryeministri Haradinaj, tha se aksioni për pastrim është temë e të gjithë pa dallim, temë që duhet t’i bashkojë të gjitha nivelet e qeverisjes, por edhe gjithë qytetarët që jetojnë këtu.

“Janë dy dekada që Kosova ballafaqohet me problemet mjedisore, me theks të veçantë me ndotje dhe papastërti të mjedisit në të cilin jetojmë. Është momenti i fundit që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të reflektojmë për ta ndryshuar këtë gjendje”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria do t’i bashkohet idesë për dhënien e grantit për komunat që tregojnë sukses në pastrimin dhe ruajtjen e ambientit.

Haradinaj, tha se sfida e ambientit të pastër zgjidhet me Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Integruar të Mbeturinave, duke theksuar po ashtu se pas aksionit për pastrimin e Kosovës, që do të zgjatë 3 muaj, do të fillojnë politikat ndëshkuese për ata që hedhin mbeturina dhe që nuk respektojnë normat ligjore.

Kryeministri informoi se në aksionin për pastrimin e Kosovës janë ftuar të gjithë mekanizmat, dhe është e pamundur që ky aksion të jetë i suksesshëm pa kontributin e kryetarëve të komunave.

“Ju siguroj që në fund, pas kësaj pune të mundimshme të gjithë do të jemi fitues”, tha kryeministri Haradinaj.  /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version