Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sot në një fjalim të tij se është i pikëlluar që në Kosovë u shkarkuan nga kryeministri, shefi i AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme dhe e ka pyetur Ramush Haradinajn se nga kush po i merr këto urdhra.
Erdogan këto deklarime i bëri duke folur për rastin e fundit të arrestimit dhe deportimit për në Turqi të gjashtë shtetasve turq të cilët ishin pjesë e rrjetit të shkollave Guleniste në Kosovë.
Haradinaj ende nuk i ka dhënë përgjigje kësaj deklarate të Erdoganit, por kohë më parë në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ishte pyetur për presidentin turk.
Kur kishte komentuar grusht-shtetin e dështuar në Turqi, kishte thënë se Kosova e konsideron Turqinë vend aleat, porse ai Erdoganin nuk e ka vëlla.
“Ne është mirë me u marrë me telashe tona, nuk kemi nevojë me dhanë mendime për atje. E konsiderojmë aleat në planin global”.
“Jo nuk e kam vëlla. Unë jam shqiptar, mund ta kem mik dhe partner, por vëlla jo”, pati thënë Haradinaj.