Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e tij si kryeministër i Kosovës.
Para mediave ai ka thënë se arsyeja e dorëheqjes është se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar.
Haradinaj është shfaqur i emocionuar teksa ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se në Gjykatën Speciale do të paraqitet si qytetar i thjeshtë dhe jo si kryeministër.
“Nderi i Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës./Telegrafi/