Kryeministri Ramush Haradinaj ka emëruar ministrin e ri të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala.
Haradinaj këtë e bëri të ditur në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar se i ka dëshiruar punë të mbarë në detyrën e re.
“Kam emëruar sot ministër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shalën. Pasi i dëshirova punë të mbarë në detyrë, me ministrin e ri biseduam për kontinuitetin e projekteve në këtë dikaster”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar ditë më parë ministrin e ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shalën, i cili është doktor shkence në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it, në Angli.
Muzafer Shala është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe vjen nga Dega e PDK-së në Vushtrri. /Telegrafi/