Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ritheksuar se partia të cilën ai e udhëheq do të jetë kundër ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e cila pritet që javën që vjen të shkojë në Kuvend për ratifikim.
Madje, kreu i AAK-së, ka shprehur besimin e tij se edhe deputetë të partisë në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës, do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje, siç e ka quajtur ai, një turp të madh që po i vjen Kosovës, raporton Kosovapress.
Këto komente ish kryeministri Haradinaj i bëri pas homazheve te varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe shtatores së Zahir Pajazitit.
Kreu i AAK-së, theksoi se traditën e nderimit shqiptarët e kanë të kultivuar, porse nderimi të varri i ish-presidentit Rugova nuk ndërlidhet me atë që po bënë LDK-ja aktualisht.
“Besoj se në LDK ka njerëz me integritet, deputetë që nuk do të lejojnë që një turp dhe një e keqe e madhe më i ardh vendit. E kam fjalën për demarkacionin dhe tema tjera, pra shumë besoj se ka njerëz me integritet. Ashtu siç ka edhe tek partitë tjera në pushtet. Falënderoj deputetët e partive të opozitës, të komuniteteve po ashtu që kanë shprehur gatishmërinë që mos të lejojnë të kalojë…, besoj e dini, nuk ka ndryshuar”, tha Haradinaj.