Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në mbyllje të Javës së Dëshmorëve të Hasit ka thënë sot se Hasi iu bashkua Luftës Çlirimtare që nga fillet e saj.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në Has gjetën strehë e votër, por gjetën edhe shumë bashkëluftëtarë të zotë.
“Në mbyllje të Javës së Dëshmorëve të Hasit, i përgëzova për ‘Portën e Lirisë’, ku përjetësohen emrat e hasjanëve të rënë në frontet e lirisë, e që me mundin e gjakun e tyre shembën përgjithmonë kufirin që e ndau padrejtësisht Hasin e shqiptarët për dekada.
I sigurova familjet e të rënëve, bashkëluftëtarët, qytetarët e Hasit e veçanërisht gjeneratën e re, se angazhimi ynë për Kosovën e sigurt, anëtare të NATO-s, nuk do të ndalet asnjëherë.
Ecja përpara e Kosovës, përparimi ekonomik e zhvillimi i saj, do të realizohet nga njerëzit falënderues, që respektojnë dhe qëndrojnë krahas atyre që bashkuan pushkët me ne në Luftën Çlirimtare, Amerikën dhe mbarë botën demokratike”, shkruan ai. /Telegrafi/