Site icon Telegrafi

Haradinaj e Thaçi lënë anash akuzat ndaj njëri-tjetrit, i bashkon iftari

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shtruar sonte një iftar për nder të kryetarit myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij, e aty, përveç anëtarëve të kabinetit qeveritar, është parë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se “si vazhdimësi e traditës, sonte ka shtruar iftar për nder të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij”.

“Cilësitë më të mira njerëzore që vijnë në shprehje gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, le të na shërbejnë që ta tejkalojmë veten për të mirën e përbashkët, fuqizimin e shtetit tonë dhe ruajtjen e vlerës sonë të rrallë dhe të dëshmuar të tolerancës ndërfetare. Të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë, ju dëshiroj agjërim të lehtë edhe përgjatë ditëve të mbetura të Ramazanit”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi kohët e fundit në vazhdimësi kanë drejtuar akuza kundër njëri-tjetri, lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, e veçmas për idenë e korrigjimit të kufijve.

Ata janë parë bashkë kryesisht nëpër akademi përkujtimore, ndërsa në deklarime për media nuk kanë e kanë kursyer njëri-tjetrin me akuza nga më të rëndat. /Telegrafi/

Exit mobile version