Telegrafi

Haradinaj e quajti turist të luftës, reagon Rrustem Mustafa

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka reaguar në mënyrë indirekte ndaj deklaratave të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar si “turist” të luftës.

Ish-komandant Remi në reagimin e tij ka thënë “atë që e bënë njeriu për pak vëmendje nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë”.

Haradinaj ka deklaruar të hënën se Remi dhe ish-presidenti Hashim Thaçi kanë qenë turistë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Lexo po ashtu Haradinaj: Thaçi e Mustafa ishin turistë në UÇK

“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tri javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turistë janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hyrë e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hyjnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë ish-kryeministri.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nisma-s, Zafir Berisha.

Në një reagim në Facebook, ai ka shkruar se në kohën kur kanë sulmuar policinë e Serbisë në vitet 1992-1993, “Ramush Haradinaj ka qenë duke punuar baushtellë në Zvicër”.

Ish-deputeti ka hedhur fjalë të rënda edhe për Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se mbeturinat e Serbisë janë kthyer në pushtet nën ombrellën e kësaj partie.

Lexo po ashtu Thaçi e Remi ishin "turistë në luftë" - Zafir Berisha i reagon Haradinajt: Kur dikush e sulmonte policinë serbe, ti punoje baushtellë në Zvicër

“Qasja provinciale me mentalitet mesjetar për luftën e UÇK-së dhe eksponentët e saj, i ka mundësuar mbeturinave të Serbisë të këthehen në pushtet nën ombrellën e sektit të LVV”, ka shkruar Berisha. /Telegrafi/