Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka sqaruar për tokën e blerë në procesin e privatizmit, duke thënë se nxjerrjen e këtyre informacioneve gjysmë të vërteta, e konsideron si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e Zi.
Haradinaj ishte njëri nga emrat që figuron në listën e blerësve gjatë procesit të privatizimit, të cilën e ka publikuar dje Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Sipas listës së publikuar Ramush Haradinaj përmes përfaqësuesit ligjorë ka blerë një tokë bujqësore prej më shumë se 1 milion metra katrorë.
Ja sqarimi i plotë i Haradianjt:
Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.
Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund të jetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.
Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.
Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës.